Përzgjedhen tre kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së

17 Qershor, 2020 - 9:59 pm

 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancën dëgjimore me Gentian Salën, kryetarin e AMA-s mbi raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të institucionit për vitin 2019 si dhe përzgjodhi 3 kandidatët, për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Gentian Sala, kryetari i AMA-s, raportoi mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton, dixhitalizimin si dhe punën e bërë në këtë institucion prej një viti, por dhe problematikat e hasura.

“Aktualisht AMA ka 39 kanale pa pagesë, një shifër kjo që nuk e kemi parë në asnjë vend të rajonit por dhe Europës Juglindore. Kemi zhvilluar një fushatë sensibilizimi, mbi dixhitalizimin e operatorëve dhe një sërë ekranesh të reja janë futur në treg, si Euro News Albania, A2 News.

Gjatë vitit 2019, në zbatim të ndërgjegjësimit kemi realizuar spote të ndryshme, në portale, televizione apo radio. Planifikimi i frekuencave është më mirë se çdo vit tjetër. Sigurisht që ka vend për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh kreu i AMA-s.

Vilma Bello, deputete dhe njëkohësisht relatore në këtë komision, u shpreh në lidhje me ecurinë e AMA-s jo vetëm në 2019, por dhe më tej.

“Raporti i përgatitur bën monitorimin e të gjitha medieve në Shqipëri. Ky raport respekton detyrimet ligjore, pasi është hartur në bazë të ligjeve. Kalimi nga transmetimet analoge në transmetimet numerike, përmbushjes së rekomandimeve bazë të Integrimit Europian, dhe Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë një punë për tu përgëzuar, punë e mirë e bërë në një vit, duke parë dhe numrin e shtuar të ankesave gjë që tregon se ky institucion ka arritur besim tek publiku”, u shpreh Bello.

Pas diskutimeve të shumta, Sala iu përgjigj pyetjeve të drejtuara, nga anëtarët e këtij komisioni, të cilat kishin të bënin me problematikat, ankesat apo çështjet gjyqësore në këtë institucion.

Komisioni vijoi me miratimin e marrjes së vendimit për shpalljen e dy vendeve vakante në KDRTSH-së.

Në fund të seancës komisioni vijoi rendin e ditës, me procesin e plotësimit së 3 vendeve vakante për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas seancave dëgjimore të zhvilluara me të gjithë kandidatët në mbledhjen e datës 05.06.2020.

Sot në mbledhjen e radhës u vijua me procedurën e përzgjedhjes së 3 kandidatëve që do t’i dërgohen seancës plenare për votim. Për arsye të ruajtjes së etikës gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, komisioni bazuar në nenin 35 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, vendosi që kjo pjesë e mbledhjes të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Në përfundim të shqyrtimit, komisioni përzgjodhi kandidatët: Genc Përmeti, Ilir Keko dhe Dionis Papadhimitri, të cilët do t’i dërgohen seancës plenare për votim./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme