Piloti zviceran bën simbolin e zemrës në hapësirën ajrore të Kosovës

11 Prill, 2020 - 3:30 pm

Një aeroplan i kompanisë “Chair” në linjën Cyrih-Prishtinë ka bërë sot simbolin e zemrës në hapësirën ajrore të Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin në momentet e vështira të përballjes me koronavirusin.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) përmes një postimi në Facebook.

“Sot më kërkesë të pilotit dhe me miratim të kontrollorit të trafikut ajror, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Cyrih – Prishtinë bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në këto momente të vështira për gjithë në, si rrjedhojë e virusit Covid-19”, thuhet në njoftimin e ASHNA-s.

“ASHNA dhe personeli i saj, Kontrollorët e Trafikut Ajror, Inxhinierët e pajisjeve aeronautike, Meteorologët aeronautikë dhe Zyrtarët e Informacionit Aeronautik vazhdojnë në ofrojnë shërbimet e tyre për të mbajtur hapur të vetmen portë të Kosovës me botën. Urojmë që së shpejti në njërin nga këta aeroplanë që po vijnë në Kosovë, të vijë edhe vaksina e ilaçet për të mposhtur këtë armik të padukshëm”, përfundon njoftimi.

Ndërkohë për rastin ka shkruar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

“Piloti zviceran donte të inkurajonte vendin tonë në betejën kundër COVID19. Kërkoi leje nga kulla; leja ju dha. Rezultati, një zemër e madhe në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. /KultPlus.com

Të ngjajshme