3 Qershor, 2025 - 11:45 am
Katër vite më parë, më 3 qershor të vitit 2021, u shua një nga figurat më të shquara të teatrit shqiptar, Pirro Mani.
Pirro Mani u lind në 14 prill të vitit 1932 në Korçë dhe mbetet njëri prej regjisorëve më brilantë sidomos në teatër. Studimet e larta i ndoqi në Institutin e Lartë të Kinematografisë në Moskë. Në vitin 1961, u kthye në Shqipëri dhe u emërua regjisor në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku e drejtoi atë për 8 vjet.
Pirro Mani së bashku me Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorkë dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin e të tjerë, realizuan vepra me vlera të qëndrueshme e që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit, si “Hijet e Natës” të Vedat Kokonës, apo që dëshmuan art të shquar regjisorial dhe aktorial.
Pas një nisje karriere të suksesshme, Mani do të emërohej regjisor dhe aktor në Teatrin Popullor të Tiranës. Vepra e parë që përgatiti për publikun kryeqytetas ishte “Cuca e maleve” e Loni Papës.
Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, Pirro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numërohen mbi 80 shfaqje. Ndërsa roli filmik me të cilin kujtohet është ai i Sali Protopapës tek “I teti në bronz” (1970).
Ka përgatitur shumë studentë për aktorë dhe regjisorë si pedagog i Mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, kurse në vitet 1974-1978 kreu si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të Katedrës së Regjisurës në atë institut./atsh/KultPlus.com