Po vjen liria, 25 vjet pas çlirimit

1 Dhjetor, 2023 - 8:54 pm

Sot është 1 dhjetor, por, për shkak të të shumëpriturit liberalizim vizash, sot ka filluar numërimi mbrapsht: 31, 30, 29, 28, 27,..1. Boom!

Shteti që s’po kthehet mbarë, do ta kuptojë që këto fishekzjarre nuk janë për Vitin e Ri, por për liberalizim vizash. Një kaçik në gojë nga darka e fundit, një kofer në dorë dhe… Evropë, pritmë se erdha! Do të nisemi me vargun e Fishtës në mend: Ah, Evropë, ti kurva e motit! Dhe kështu të frustruar e të eksituar do t’ia mësyjmë asaj. Nëse ajo nuk na jep çfarë kërkojmë, do t’ia marrim me zor. Do të punojmë dhe do t’ia punojmë.

Nga frika e të frustruarve, Evropa, po të kishte këmbë, para një janarit do të ikte të fshihej dikund mbrapa Azisë, apo mbrapa diellit. Por, s’ka këmbë. Italia duket si njëfarë këmbe, po s’mund t’i ikësh me një këmbë, atij që ta ka mësyrë me dy këmbë dhe me urrejtje ndër dhëmbë. Do ta zëmë Evropën dhe do t’ia bëjmë atë që ia bëri Zeusi Evropës. Na erdhi dita.

Sigurisht që e dramatizova pak, se pritja e gjatë dhe ardhja e ditës, më në fund, meritojnë pak dramë.

Tingëllon pak e çuditshme, por, për shumicën kosovare, vetëm një çerek shekulli pas çlirimit, vjen liria, ajo e madhja, liria e lëvizjes nëpër Evropë. Pra, ka një vijë suksesi: çlirimi (1999), pavarësia (2008) dhe liria (2024). Kjo e fundit është një sukses i shtetit, një sukses që do t’i nxjerrë në shesh dështimet e shtetit. S’ka punë këtu, shkon atje! S’ka shkollë këtu, shkon atje! S’ka pare këtu, shkon atje! S’të vlerësojnë këtu, shkon atje!

Kjo liri, më shumë se Evropën, duhet ta trembë Kosovën. Faktet thonë që Kosova është vendi më i vogël, më i varfër dhe më i shëmtuar në Ballkan. Patriotizmi thotë: sidoqoftë, është e jona. Pra, mendja e di, por zemra s’e pranon.

Megjithatë, gjatë 25 vjetëve (saktësisht: 24 e gjysmë), përveç atyre që edhe pse kanë marrë frymë në Kosovë, kanë pasur luksin të jetojnë jashtë realitetit kosovar, të gjithë të tjerëve në vazhdimësi u ka plasë zemra. Janë miliona arsye pse sot janë zemërplasur dhe me ditë të numëruara (duke pritur 1 janarin). Fajtorë për këtë janë të gjitha partitë politike, të gjitha qeveritë tona, të gjithë ATA dhe të gjithë NE.

Edhe pse nuk besoj që më 1 janar do të ndodhë mrekullia përrallore, që do të ikim dhe do të jetojmë të lumtur, prapëseprapë mendoj se një mrekulli e vogël do të ndodhë: mrekullia e të pasurit alternativë. S’të rrihet këtu, shko ku të duash! Deri tash, t’u nejtë, a s’t’u nejtë, është dashtë me trusë qaty, se s’ke mujtë me ikë.

Tash që po vjen liria e lëvizjes, secili mund t’i thotë vetes dhe tjetrit: lëviz, se nuk je lis!

Prandaj, 1 janari është njëfarë mrekullie.

Kulmi i patriotizmit ka qenë lufta. E mira e patriotizmit: çlirimi. Nga 1999 e këndej, patriotizmit veç sherrin ia kemi pa. Fëmijët e vitit 1999 (dhe ata të lindurit pak para luftës, ose kurdo pas luftës), nuk kanë pse të jenë viktima të nacionalizmit, as të patriotizmit; ata do të shohin se ku mund të jetojnë më mirë, dhe aty do të ndalen, do të shkollohen ku të duan, do të dashurohen e, po deshën, edhe mund të martohen, me kë të duan. Këta që shkojnë atje nuk janë si ata që vijnë këtu. Ata, fëmijët e diasporës sonë, janë viktima të nacionalizmit të prindërve të tyre. Ata jetojnë atje, por detyrohen ta gjejnë fatin (a taksiratin) këtu, punojnë atje, por duhet të investojnë këtu. Prandaj vetëm këta që kanë jetuar këtu pas lufte, e dinë (ose e marrin me mend, dhe shpejt do ta shohin me sy) se kudo tjetër është më mirë se këtu. Këtë e dinë edhe patriotët zemërplasur, e di çdo qytetar, i varfër e i pasur.

Unë edhe pse s’do ta shijoj epokën Post-2023 si shumë kosovarë (për shkak të shtetësisë shqiptare që kam, kjo epokë tek unë ka ardhë më parë), vazhdoj prej vitesh t’ia bëj vetes pyetjen, të cilën nga viti tjetër do ta bëjnë të gjithë kosovarët, nëse do të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë: pse rri këtu, kur mund të shkoj kudo tjetër?

Janë dy arsye potenciale: patriotizmi dhe shprehia.

Por unë s’jam ndonjëfarë patrioti. Kam lidhje emocionale me vendlindjen, me njerëzit, sigurisht. Kam kujtime, por edhe ëndrra. Ëndrrat nuk i vras për kujtimet.

Duke lexuar dhe shetitur, e kam vrarë nacionalizmin dhe patriotizmin. Pra, për mua patriotizmi s’është arsye. E, megjithatë kam qëndruar (qëndruar, sepse të jetosh këtu, domethënë të qëndrosh, të rezistosh, t’i kesh zemrën dhe nervat e forta).

Atëherë, arsye mbetet shprehia.

Meqenëse shprehia në vetvete nuk është arsye, nuk lidhet me arsyen, s’kam përgjigje pse kam qëndruar këtu. Pra, kam qëndruar për shprehi, domethënë, pa arsye, ashtu kot. E, duke qenë se viteve të fundit më është bërë shprehi të udhëtoj, qysh po shkojnë punët këtu, nëse shteti nuk kthehet kah e mbara (domethënë, nëse nuk instalohet një meritokraci), një ditë, krejt papritur, mund të më bëhet shprehi të mos kthehem, ashtu siç mund të ndodhë nesër me të gjithë ata që do të dalin jashtë kësaj republike kaotike.

Shkrimtari im i dashur, Nikos Kazanxakis, që përveç shkrimtar, ishte edhe udhëtar i madh, thotë: “Zoti edhe duron, ç’i kushton koha atij? Është i pavdekshëm. Po njeriu?”

Ne, kosovarët, nuk jemi zota. Jemi njerëz. Durimi merr fund, sepse koha jonë është e kufizuar. 25 vjet shpresë kolektive. Edhe sa duhet të presim? Ne jemi një popull i burgosur, që na lirojnë më 1 janar 2024. Askush s’ka pse i duron rrahagjokset e politikanëve për trimëri e drejtësi, nëse ato s’i sjellin mirëqenie në shtëpi. Politikanët e tillë i lëmë në shekullin 19, kurse ne shkojmë atje ku jetohet shekulli 21.

Po ta kërcënoja unë shtetin, do të ishte qesharake, por kur realiteti e kërcënon, pushtetarët duhet t’i hapin sytë dhe veshët: nga 1 janari, nëse këtu vazhdojnë të mungojnë ofertat, qytetarët do t’i kenë alternativat, sepse atdheu dhe kombi janë përkatësi aksidentale, kurse shteti ku vendosim të jetojmë duhet të jetë zgjedhje racionale.

Prandaj, gjatë dhjetorit them ta shohim filmin e animuar “Lambert, The Sheepish Lion”, dhe të mendojmë se ndoshta nuk jemi dele, dhe ndoshta lejleku ishte i dehur kur na lëshoi në Kosovë./KultPlus.com

Të ngjajshme