Poeti Gjekë Marinaj Merr Çmimin Letrar Ndërkombëtar Të Koresë Së Jugut

25 Gusht, 2021 - 9:30 pm

Poeti, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptaro-amerikan Gjekë Marinaj u emërua fitues i një prej çmimeve letraro-kulturore më prestigjioze të Koresë së Jugut, “Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC”. Banues në zonën e Dallasit, Dr. Marinaj është profesor në Kolegjin Richland si dhe drejtor i Mundus Artium Press.

I organizuar nga qyteti Changwon i Koresë së Jugut, Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC vlerëson Dr. Marinaj për kontributin jetësor dhe etikën kulturore në letërsi. Në përzgjedhjen e Marinajt për këtë nderim, komiteti i çmimit vuri në dukje se ai gjithmonë “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, inspiron paqen përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”.

Komiteti i Çmimit Ndërkombëtar Changwon KC vuri në dukje edhe poezinë protestuese të Marinajt të vitit 1990 “Kuajt”, botimi divergjent i të cilës e detyroi poetin të ikte nga regjimi komunist i Shqipërisë. E tronditur nga demonstratat masive në cilat poezia u bë menjëherë njohur, qeveria komuniste u rrëzua gradualisht pas botimit të saj.

Marinaj është shkrimtari i dymbëdhjetë që merr Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC, themeluar në vitin 2010. Fituesit e mëparshëm, mes tyre edhe disa kandidatë për Çmimin Nobel, kanë përfshirë Bei Dao të Kinës, Alexei Varlamov të Rusisë, Hans-Ulrich Treichel të Gjermanisë dhe Claude Mouchard të Francës.

Lee Seong-mo, drejtor i Qendrës së Letërsisë Kim Dal-jin të Changwon, i cili administron çmimin, vuri në dukje: “Duke parë fituesit deritanishëm, të gjithë kanë qenë shkrimtarë që puna e tyre ka ngritur lart vlerat e lirisë, të drejtave të njeriut dhe paqes. ”

Duke komentuar për mediat koreane për çmimin, Marinaj tha: “Letërsia ka një fuqi të mrekullueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së secilit anëtar të racës njerëzore. Letërsia është dashuri njerëzore. Ajo është si rrezet e diellit dhe ajri, pa kufij, e atyshme për këdo që ka nevojë për të, sepse letërsia është natyra jonë e vërtetë.”

Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC përfshin edhe një shpërblim monetar prej 5,000 (pesë mijë) dollarësh amerikan. Marinaj do të udhëtojë në Changwon për ceremoninë e marrjes së çmimit, që do të mbahet më 2 tetor (2021) në vendlindjen e Kim Dal-jin, një shkrimtar i njohur korean i shekullit të njëzetë.

Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se një duzinë gjuhësh.
Mes shumë nderimeve, Marinaj ka marrë dy Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin “Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” për kërkimin e paqes përmes letërsisë.

Marinaj mban titullin “Ambasador i Kombit” për Shqipërinë, vendin e tij të lindjes, si nderim për kontributin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe botërore përmes poezisë, prozës, gazetarisë, kritikës letrare, filozofisë dhe mësimdhënies akademike.

Në një komentet për mediat amerikane, Marinaj vuri në dukje se kur je shkrimtar “shkruan për të edukuar, informuar, argëtuar dhe motivuar derisa fjalët të arrijnë përtej çdo kufiri njerëzor dhe të bëhen instrumente në shërbim të kujtdo që dëshiron ose ka nevojë për to”.

Gazeta Gyeonggi me qendër në Seul vuri në dukje se “Marinaj është bërë një nga poetët më të rëndësishëm, me famë botërore të shekullit 21, siç ishte Pablo Neruda në shekullin e 20-të”.

Marrë nga AP (Associated Press) dhe përkthyer nga anglishtja nga Elena Lato Sang-woo 상우

POETI I REZISTENCËS QË USHQEN NJERËZIMIN ME PAQE DHE SHPRESË

Nga Hyunsoo Jeong

Poeti Amerikan me origjinë Shqiptare Gjekë Marinaj fiton Çmimin e 12 -të letrar Ndërkombëtar Changwon KC në Korenë e Jugut: Vlerësim për fuqizimin e vlerave globale të lirive dhe të drejtave të njeriut në letërsi.

Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC feston 12 vjetorin e tij këtë vit. Fituesi i parë ka qenë një poet i cili kompozoi poezi disidente gjatë incidentit në Sheshin Tiananmen në Beidao të Kinës, i cili më pas u detyrua të ikë në Hong Kong e pastaj në Shtetet e Bashkuara. Sot ai është kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi. Pas kësaj, midis shkrimtarëve që kanë fituar Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Changwon KC, janë nominuar edhe tre të tjerë për Çmimin Nobel në Letërsi.

Fituesi i 12-të është gjithashtu një poet i rezistencës, i cili iku në Jugosllavinë (e vjetër) dhe më pas në Shtetet e Bashkuara për shkak të kërcënimit të regjimit komunist shqiptar. Gjekë Marinaj (lindur në 1965) është një poet, shkrimtar dhe kritik letrar Amerikan i lindur në Shqipëri. Ai ka marrë shumë çmime letrare ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Kombëtar Heraldik të Vietnamit. Ai aktualisht është drejtor i Mundus Artium Press, dhe jep mësim në Universitetin e Richland, Dallas.

Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 10 gjuhë dhe janë të dashura nga njerëzit në mbarë botën.

Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC bashkë-kryesohet nga kryebashkiaku i qytetit Changwon, Heo Seong-moo dhe presidenti i Universitetit Kyungnam Park Jae-gyu, dhe përbëhet nga planifikimi, organizimi, gjykimi i anëtarëve të komitetit drejtues. Kim Gu-seul, Profesor i Universitetit Hyupseong; Park Duk-gyu, Profesor i Universitetit Dankook; Bang Min-ho, Profesor i Universitetit Kombëtar të Seulit; Kwak Hyo-hwan, drejtor i Institutit të Përkthimit të Letërsisë në Kore dhe Yeo Tae-cheon, profesoreshë në Universitetin e Grave Dongduk, ishin këtë herë pjesë e jurisë së dhënies së këtej çmimi.

Juria i kushtojë vëmendje të veçantë edhe poezisë “Kuajt” që e bëri poetin të ikte në Amerikë.

“Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë. / Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; / Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne s’është mendje hollë. (…)”

Siç dihet në mitologjinë greke, kuajt janë fillimisht qenie hyjnore, por nën sistemin e atëhershëm komunist shqiptar, njerëzit vonuan të tregohen mendjehollë pasi u duhej të vraponin sikur po ndiqeshin vërtet nga kuaj shumë të egër.

Por arsyeja kryesore pse juria zgjodhi Marinaj si fitues është fakti se “poeti gjithmonë vendos njerëzimin në qendër të punës së tij, nxit paqen përmes poezisë dhe kompozon fuqishëm për përmirësimin dhe shpresën e botës”.

Lee Seong-mo, drejtor i Qendrës së Letërsisë Kim Dal-jin, i cili është përgjegjës për integritetin e këtij çmimi letrar, analizoi: “Nëse shikoni profilin e fituesve të deritanishëm, çmimi u është dhënë shkrimtarëve të mëdhenj që kanë ngritur lart vlerat e lirisë, të drejtat e njeriut dhe rolin e paqes globale në letërsinë e tyre”.
I tillë është poeti Marinaj, i cili me të dëgjuar lajmin, shprehu me kënaqësi ndjesitë e tij për mediat. “Më pëlqen të shkruaj sepse letërsia është për të gjithë. Letërsia ka një fuqi të mrekullueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së secilit anëtar të racës njerëzore. Letërsia është dashuri njerëzore. Ajo është si rrezet e diellit dhe ajri, pa kufij, e atyshme për këdo që ka nevojë për të, sepse letërsia është natyra jonë e vërtetë.”

Vlera monetare që jepet çdo vit për këtë çmim është 5,000 (pesë mijë) dollarë, e cila sigurohet nga qyteti i Changwon-it. Këtë vit, ceremonia e dorëzimit të çmim do të mbahet në vendlindjen e poetit Kim Dal-jin në orën 3 pasdite të 2 tetorit, por orari mund të ndryshojë në varësi të situatës së Koronës.

Rreth Çmimit Letrar Ndërkombëtar Changwon KC: Themeluar nga bashkia e qytetit Changwon, Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC u lançua për herë të parë në 2010 në Qendrën e Letërsisë Kim Daljin. Organizuesit zgjedhin çdo vit një shkrimtar ndërkombëtar që praktikon më së miri frymën e humanizmit në letërsinë që shkruan. ‘K’ në ‘KC’ rrjedh nga shkronjat e para të fjalëve Korea, Kim (DalJin) dhe KYUNGNAM, ndërsa ‘C’ është shkronja e parë e qytetit Changwon.

Përktheu nga gjuha koreane: Elena Lato Sang-woo 상우 / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme