31 Maj, 2025 - 5:34 pm
Pogradeci çeli sot sezonin turistik 2025 me një sërë aktivitetesh kulturore, sportive si dhe me panaire.
Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloi në rrugët kryesore të qytetit të Pogradecit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov, nënkryetarja e bashkisë Entela Gusho, drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, turistë etj.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha se ne kemi 5-6 vjet që punojmë për këtë ditë. Edhe investimet që kemi kryer në infrastrukturë, por edhe kujdesi që tregojnë vetë punonjësit e bashkisë për të mbajtur një ambient të pastër, të kuruar me kujdes duke ofruar mundësi për të pushuar për të gjithë brezat, edhe për brezin e tretë, për rininë dhe fëmijët”.
“Jo vetëm nga turistët vendas, por edhe të huaj ka pasur interes, pasi oferta turistike e Pogradecit ka qenë e përshtatshme për ta”, tha Xhakolli duke shtuar se bashkia ka bërë gjithçka që turistët të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Ndërsa në fjalën e saj nënkryetarja e bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho tha se “një risi këtë vit do të jenë jo vetëm aktivitetet kulturore, por edhe ato sportive si dhe evidentimi i trashëgimisë së pasur kulturore e natyrore, por edhe nxitja e krijimit të bashkëpunimit ndërinstitucional duke u ofruar turistëve vendas e të huaj shërbime të duhura”.
“Gjatë këtij sezoni bashkia Pogradec do të identifikohet me një kalendar të pasur aktivitetesh ku secili prej jush mund të gjejë veten për të pushuar në flladin pogradecar ashtu si e përshkruajnë vargjet e poezisë së Lasgushit dhe Mitrush Kutelit”, tha Gusho.
Duke ftuar vizitorët të vizitojnë Pogradecin, nënkryetarja Gusho u shpreh se “të shijojmë së bashku kulinarinë, mikpritjen dhe traditën, trinomin e të cilit e gjeni vetëm në Pogradec”.
Në ditën e çeljes se sezonit turistik, vizitorët e huaj janë të shumtë në qytetin liqenor. Dy prej tyre tregojnë se vijnë për herë të parë në Pogradec e se mikpritja, por dhe kulinaria e çmimet bëjnë që ata të mendojnë rikthimin vitin tjetër
“Ne jemi nga Austria, kemi ardhur për herë të parë në Pogradec. Një pamje fantastike, vend i mirë për të qëndruar, diell, ushqim fantastik, do rikthehemi përsëri”, tha një turist.
Një tjetër turist u shpreh se “kisha dëgjuar për Pogradecin në internet, sa shumë dyqane e njerëz. Liqeni fantastik, plazh bëmë dhe u relaksuam. Çmimet ishin shumë të lira”.
Bujtinat dhe restorantet e qytetit organizuan një panair me ushqimet tradicionale të zonës, ndërkohë artizanët ekspozuan punimet e tyre si në qëndisje, punime me grep, gliko, reçelra të ndryshëm.
Gjithashtu, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh si koncerte me këngë dhe lojëra për fëmijë.
Pogradeci dhe fshatrat turistikë të Linit e Tushemishtit edhe këtë vit vijojnë të jenë të kërkuara nga turistët vendas e të huaj, për bukurinë që ofron kjo krahinë aq e për kulinarinë e mikpritjen.
Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.
Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh./atsh/ KultPlus.com