Policia arreston dy gazetarë shqiptarë: Përcollën lajmin e rremë të tërmetit 6 ballë

23 Shtator, 2019 - 8:58 am

Policia e Shtetit ka bërë një reagim në këtë orë të vonë nga ku ka lajmëruar se ka arrestuar dy gazetarë të dy portaleve shqiptare në lidhje me publikimin e një lajmi të rremë, ku thuhej se në orën 23:00 të së dielës Shqipëria do të goditej nga një tërmet prej 6 ballësh të shkallës Rihter.

Lajmi përhapi panik masiv dhe bëri që mijëra qytetarë në Tiranë dhe Durrës të dilnin nga banesat e tyre. Policia në njoftimin e saj  thotë se lajmi u postua fillimisht në një portal dhe më pas në disa të tjerë.

Ndërkohë mbi këtë lajm, ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj:

Për më tepër lexoni njoftimin e plotë të policisë:

Policia e Shtetit

Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net“, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.

Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët./Express

Të ngjajshme