Porto Palermo Festival, rikthehet për edicionin e pestë, nën organizimin e Olen Cesari

25 Korrik, 2025 - 3:45 pm

Festivalit më të njohur artistik të verës në Shqipëri, Porto Palermo Festival, po i afrohet edhe një edicion i ri, për të pestin vit radhazi. Ky festival i veçantë do të zhvillohet në kalanë historike të Porto Palermos, në Himarë, nga data 31 korrik deri më 17 gusht 2025, duke ofruar 12 netë të mbushura me art, muzikë dhe performanca të jashtëzakonshme.

Organizuar dhe ideuar nga artisti i mirënjohur Olen Cesari, Porto Palermo Festival ka përzgjedhur një listë emrash të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare për të performuar gjatë mbrëmjeve artistike. Disa nga emrat që do të ngjiten në skenë janë: Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Aurela Gaçe, Marsela Cibukaj, Eda Zari, Ardian Trebicka, si dhe artistë të huaj si Carlos Paz & Sin Fronteras, Alberto Laurenti, dhe Laraine Cañizares, transmeton KultPlus

Këtë vit, festivalit i është shtuar edhe një aktivitet special më 26 korrik, në orën 11:00, me qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për ruajtjen e mjedisit. Ky aktivitet do të organizohet në bashkëpunim me organizata dhe vullnetarë të dedikuar që mbështesin nisma për ruajtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor.

Ky festival jo vetëm që mbledh së bashku artistë dhe vizitorë nga e gjithë bota, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e turistëve dhe vizitorëve të zonës së Porto Palermos./KultPlus.com

Të ngjajshme