3 Gusht, 2025 - 7:28 pm
Posta e Kosovës, emetoi emisionin e ri të pullave postare në nderim të tenorit të shquar shqiptar, Rame Lahaj – një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.
I lindur në Istog, Rame Lahaj ka ngjitur me dinjitet dhe talent skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me krenari kulturën shqiptare në qendra të tilla si ‘Royal Opera House” në Londër, “Teatro Real” në Madrid, “Opera de Paris” dhe shumë të tjera. Zëri i tij është bërë simbol i klasit, shpirtit dhe përkushtimit artistik.
Përveç karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, Lahaj është i njohur edhe për kontributin e tij në jetën kulturore të vendit, përmes themelimit të Rame Lahaj International Opera Festival, duke sjellë artin operistik më afër publikut kosovar, por edhe duke përkrahur brezat e rinj të artistëve.
Kjo pullë përjetëson figurën e një artisti që me zërin e tij ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë ambasador i kulturës sonë në mbarë botën.
Emisioni i pullës postare është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rame Lahaj. Pulla postare nga ky emision mbart në motiv fotografinë e realizuar nga Z. Fahredin Spahija, ndërkaq bashkë me Zarfin e Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./KultPlus.com