Potencialet turistike të Fierit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Zvicër

6 Nëntor, 2023 - 11:00 pm

Potencialet turistike të bashkisë së Fierit u prezantuan së fundmi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Lugano të Zvicrës.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, i pranishëm në stendën e dedikuar në këtë panair, u shpreh se Fieri ka se çfarë t’i tregojë botës.

Sipas tij, “Fieri ka pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike, trashëgimore, historike që magjepsin cilindo vizitor të tij”.

“Me një vizion të qartë për të ardhmen e turizmit fierak, shkuam këto ditë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Lugano të Zvicrës, një ndër më të mëdhenjtë në fushën e turizmit botëror dhe përcollëm aty një copëz Shqipërie të mahnitshme, duke bërë që me qindra e qindra vizitorë të ndalen në pavijonin tonë dhe të largohen me dëshirën për ta vizituar shumë shpejt Fierin”, u shpreh ai.

Të shumtë ishin vizitorët që treguan interes për potencialet turistike që ofron Fieri.

Me një vijë të gjatë bregdetare ende të pashfrytëzuar plotësisht, por edhe me parqe arkeologjike, Fieri ofron për vizitorët një paketë të plotë turistike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme