Presidenti Meta dekoron me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” atdhetarin Llambi Kota (Pas vdekjes)

25 Tetor, 2021 - 1:00 pm

 Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” studiuesin e shquar nga Kosova, Prof.Dr. Eqrem Zenelaj dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” atdhetarin e paepur Llambi Kota (Pas vdekjes).

Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” iu dha Prof.Dr.Eqerem Zenelaj me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të pakursyera në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar dhe prejardhjen tonë iliro-pellazge. Me mirënjohje për punën e vazhdueshme në promovimin e vlerave kombëtare të popullit shqiptar si dhe për kontributin në fushën e studimeve të albanologjisë dhe për veprimtarinë e nivelit të lartë në shërbim të historisë sonë kombëtare.”

Ndërsa me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Kreu i Shtetit çmoi atdhetarin e paepur Llambi Kota (Pas vdekjes) me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë patriotike në favor të çështjes shqiptare gjatë viteve 1908-1923. Në nderim të patriotit, atdhetarit të shquar për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Me mirënjohje ndaj kontributit të veçantë të dhënë në mbështetje të Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: Një komb, një alfabet.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh se “historia e popullit shqiptar, që nga prejardhja jonë iliro-pellazge, përpjekjet tona të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe shtet-formim, promovimi i vlerave, i kulturës dhe heronjve tanë kombëtarë, mbeten gjithmonë parësore për shoqërinë tonë dhe tejet të rëndësishme në shërbim të vendit”.

“Shqipëria ka një plejadë të artë atdhetarësh, mendimtarësh dhe studiuesish, të cilët nuk kanë reshtur të japin kontributin e tyre, përmes penës dhe aktivitetit patriotik, për ta ngritur lart çështjen shqiptare dhe vlerat më të çmuara të kombit tonë. Sot, kam kënaqësinë të vlerësoj një prej tyre, studiues i palodhur dhe tejet produktiv, shkencëtar, frymëzues dhe mbi të gjitha personalitet me virtyte të larta njerëzore, Profesor Eqrem Zenelaj, një emër i njohur në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar”, nënvizoi Meta.

Duke folur për Profesor Zenelaj, Meta tha se “ai është arsimuar dhe specializuar në Prishtinë, Austri, Francë dhe Gjermani. Ai është një hulumtues i pasionuar i arkivave të vjetra europiane dhe ka grumbulluar rreth 5 mijë dokumente të vjetra arkivore me rëndësi historike e kombëtare. Në këto dokumente përfshihen memorandume, telegrame, apele, fotografi, gravura, të dhëna të shumta mbi aktivitetin patriotik gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe mbi personalitete të njohura kombëtare shqiptare ndër shekuj si Papa Klementi 11-të me origjinë shqiptare, prejardhja e familjeve Vlora dhe Toptani, dhe një kronikë mbi jetën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Hulumtimet e tij të pakursyera janë bërë të njohura përmes ekspozimit, me gjashtë ekspozita me materiale të vjetra arkivore, të një rëndësie të veçantë historike e kombëtare, si edhe përmes botimeve të shumë librave, të cilat do mbeten një vlerë e madhe dhe me rëndësi në fushën e studimeve albanologjike, që ndihmojnë në njohjen më të mirë e të thelluar të historisë sonë”, shtoi Meta.

Duke folur për atdhetarin Llambi Kota, Meta tha se “Kota dha një kontribut të çmuar për vendin tonë, përmes veprimtarisë së tij të palodhur patriotike, në favor të çështjes shqiptare, gjatë viteve 1908-1923. Si një erudit i gjuhës shqipe, ai dha një kontribut të veçantë në mbështetje të Kongresit të Manastirit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: ‘Një komb, një alfabet’. Ai ia kushtoi jetën e tij misionit për një komb shqiptar të bashkuar, rreth idesë kombëtare me ndjenjën e shqiptarizmit mbi gjithçka, pa dallim feje apo bindjesh”.

Meta theksoi se “Kota njihet në histori si veprimtar i shquar i lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, promotor i njehsimit të alfabetit të gjuhës shqipe, delegat në Kongresin e Dibrës, pjesëtar i Klubit Patriotik të shqiptarëve në Egjipt, anëtar i Klubit Patriotik ‘BASHKIMI’ në Manastir, i shoqërisë Kulturore-patriotike ‘Banda e Lirisë’, Kryetar i Pleqësisë së Përgjithshme të shqiptarëve të Egjiptit, e nxitës dhe promotor i shumë veprimtarive të tjera patriotike”.

“Vlen të përmendet letra që ai, në cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë së Përgjithshme në Egjipt, i dërgoi Presidentit Amerikan Woodrow Wilson, të cilit i kërkoi ndihmë për të mbrojtur çështjen shqiptare, në Konferencën e Paqes në Paris. Ashtu sikurse ishte edhe firmëtar i letrës adresuar ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, me seli në Kajro, të cilëve u kërkohej ruajtja e sovranitetit të shtetit shqiptar në kufijtë e tij natyral”, tha Meta./KultPlus.com

Të ngjajshme