Presidentja Osmani falënderon Bidenin për ftesën në Samitin e Demokracisë

15 Nëntor, 2021 - 11:00 am

Kosova është ftuar për herë të parë që të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, për ftesën në Samitin e Demokracisë.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Osmani ka publikuar letrën e dërguar nga Presidenti Biden, duke falënderuar atë që ka punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Presidentja mes tjerash.

KultPlus ua sjellë postimin e plotë të Presidentes së Kosovës:

Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet.

Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden.

Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme