Presidentja Osmani i drejtohet Kushtetueses, kërkon qartësi `nëse nuk bëhet Kuvendi`

22 Korrik, 2025 - 4:51 pm

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka treguar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për qartësi se çfarë ndodhë pas 30 ditëshit të përcaktuar me aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.

Në konferencë për media ajo tha se nuk deshën që të flisnin para se ta bënin dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo e ka quajtur të paprecedentë në jetën institucionale situatën aktuale.  

“Dua të iu njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë”, tha ajo.

Por, e para e shtetit tha se nuk shihen në horizont as kompromisi as konsensusi brenda këtij afati kushtetues.

“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues e çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditësh. Kjo kërkesë ka karakter preventiv, është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e praktikat e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Tutje e para e shtetit tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në afatin prej 4 ditësh për konstituim. Tha se nëse ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda 4 ditësh ata mund ta tërheqin kërkesën.

“Edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmë që janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe në të ardhshmet”, tha presidentja.

Të ngjajshme