Presidentja Osmani: Jemi gati për pritjen e afganëve, askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kupton dhimbjen e refugjatëve

21 Gusht, 2021 - 2:28 pm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për SkyNews ka thënë se shteti po shton kapacitetet për t’i pranuar refugjatët afganë, ndërsa nuk ka treguar numrin se sa pritet të vijnë dhe datën se kur do të arrijnë, transmeton KultPlus.

Osmani për televizionin britanik ka thënë se vendi thuajse është gati për t’i pranuar refugjatët e parë, ndërsa u shpreh se askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh refugjatë.

“…Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë…Është çështje ditësh, por jemi gati t’i pranojmë grupin e parë, kështu që do të varet nga ajo se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”, ka thënë Osmani, duke shtuar se janë në kontakt në baza ditore me qeverinë amerikane lidhur me këtë çështje.

“Është çështje ditësh se kur do të kuptojmë se kur do të vijnë grupi i parë, po ajo çfarë është e rëndësishme është se ne jemi gati, me dyer dhe zemër të hapur”, tha Osmani.

Ajo më tej ka treguar se ndonëse vitin e kaluar ka pasur shumë shtetas të Kosovës që kanë punuar në Afganistan, shumica nga ta janë larguar vitin e kaluar apo para disa muajsh.

Osmani ka treguar se janë pesë shtetas të Kosovës në Afganistan që kishin kërkuar ndihmë nga institucionet për evakuim.

Presidentja e vendit në intervistën për SkyNews ka folur edhe rreth asaj se a do të ofrojë Kosova leje qëndrim për këta refugjatë.

Ajo tha se nuk ka pasur kërkesë të tillë. “…Bisedimet që kemi pasur me SHBA-në janë lidhur me njerëzit që punonin me ushtrinë amerikane të cilët kishin shprehur interesimin që të shkojnë në SHBA, mirëpo për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë”.

“Ne e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë se sa ne”, u shpreh ndër të tjera, presidentja Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme