Presidentja Osmani: Mbështesim ndërtimin e urave të reja mbi Ibër, kërkojmë heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

27 Gusht, 2025 - 7:10 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet politike në vend, sigurinë rajonale dhe proceset integruese të Kosovës.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ritheksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për Këshillin e Evropës, duke nënvizuar se reformat, sundimi i ligjit dhe përputhja me standardet evropiane mbeten prioritetet kryesore të institucioneve.

Një pjesë e diskutimit u përqendrua tek urat mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Presidentja u shpreh se mirëpret ndërtimin e një ure të re dhe hapjen e urës kryesore, duke i cilësuar ato si ura integrimi, bashkimi dhe lëvizjeje të lirë për qytetarët. Ajo theksoi se pengesat nuk janë vetë urat, por strukturat kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat kanë krijuar frikë e tensione për dekada me radhë.

Sa i përket masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Presidentja Osmani i quajti ato “të padrejta dhe të dëmshme”, pasi sipas saj, ndikojnë drejtpërdrejt në qytetarët, zhvillimin demokratik dhe kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Në përfundim të takimit, Presidentja riafirmoi se Kosova do të mbetet një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal./KultPlus.com

Të ngjajshme