Presidentja Osmani: Mbretëresha Elizabeth II ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme

8 Shtator, 2022 - 9:07 pm

Sot Mbretëresha Elizabeth II, ka vdekur në moshën 96 vjeçare. Ajo ka qenë monarkja me më së shumti vite në fron, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qytetarët janë thellësisht të pikëlluar nga ky lajm.

“Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë”, ka thënë ajo.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Qytetarët e Republikës së Kosovës, krahas miliona njerëzve anë e mbanë botës, janë thellësisht të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II.

Mbretëresha Elizabeta e udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar me zell, me hir e përulësi dhe e vendosi shërbimin dhe detyrën ndaj vendit të saj mbi çdo gjë tjetër. Ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme.

Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë.

Populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar.

U prehtë në paqe Lartmadhëria e Saj! / KultPlus.com

Të ngjajshme