19 Korrik, 2025 - 12:25 pm
Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me respekt të thellë sakrificën e dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të lirisë, të cilët ranë gjatë luftimeve dhe krimeve të kryera nga forcat serbe në korrik të vitit 1998.
Nga 17 deri më 26 korrik të atij viti, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë ekzekutuan rreth 100 civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Shumë prej tyre ishin të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe në zonat përreth.
“Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi,” u shpreh Presidentja Osmani në mesazhin e saj përkujtimor.
Ajo theksoi se kujtimi për viktimat është i përjetshëm dhe se zëri për drejtësi nuk do të ndalet derisa ajo të triumfojë.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!”, përfundon mesazhi i Presidentes Osmani.
Epopeja e Rahovecit mbetet një prej ngjarjeve më të dhimbshme dhe njëherësh më të rëndësishme të historisë së rezistencës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi./KultPlus.com