Presidentja Osmani nderon mërgatën shqiptaro-amerikane me medalje presidenciale në SHBA

13 Korrik, 2025 - 12:08 pm

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të veçantë me përfaqësues të mërgatës shqiptaro-amerikane, duke i vlerësuar ata për rolin historik që kanë luajtur në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në një ceremoni solemne, Osmani ka ndarë medalje presidenciale për disa nga mërgimtarët më të dalluar, të cilët me angazhimin e tyre në vitet më të vështira për vendin, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës. Urdhri “Hasan Prishtina” dhe “Urdhri i Pavarësisë” ishin ndër dekoratat e ndara për nder të kontributit të tyre.

“Gjatë viteve ’80 dhe ’90, kur populli shqiptar në Kosovë përballej me represionin dhe rrezikun nga regjimi shtypës e gjenocidal i Millosheviqit, mërgata jonë në Amerikë u bë zëri i besës dhe i shpresës për të gjithë ne – për mbijetesë, për liri dhe për pavarësi,” theksoi Presidentja Osmani në fjalën e saj.

Ceremonia u mbajt në shenjë mirënjohjeje për mërgatën, e cila në kohët më të vështira për Kosovën, ishte jo vetëm mbështetje morale dhe politike, por edhe burim i fuqishëm i organizimit dhe mobilizimit ndërkombëtar./KultPlus.com

Të ngjajshme