Presidentja Osmani në 86 vjetorin e lindjes së Kadaresë: E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër

28 Janar, 2022 - 2:14 pm

Sot, shkrimtari dhe poeti Ismail Kadare feston ditëlindjen e tij të 86-të.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimin në Facebook ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë.

I tillë është shkrimtari ynë Ismail  Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve.

Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.

Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.

Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij.

E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër!

Paç shëndet!

Të fundit

Të ngjajshme