17 Korrik, 2025 - 5:28 pm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka pasur dhe ka ende qëllim që ta destabilizojë dhe ta përshkallëzojë situatën në Kosovë.
E para e shtetit tha se ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i marrin nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kam pasur takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si presidente”.
“Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit. Menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se gënjeshtrat e Serbisë se kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues janë pjesë e propagandës së tyre.
“Siç e dini, deklarata të tilla kishin edhe pak para aktit të agresionit të shtatorit 2023 por edhe në çdo akt tjetër agresioni, përfshirë sulmin kundër infrastrukturës kritike që kanë bërë kundër Kosovës”, tha ajo.
Për ndaljen e një sulmi nga Serbia ndaj Kosovës ka pasur disa herë deklarata edhe nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump.