21 Maj, 2025 - 8:11 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj të parë shtetërore në Zvicër, u prit me nderime të larta nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, dhe anëtarët e Këshillit Federal. Në një njoftim zyrtar, Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit bilateral, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Presidentja Osmani vuri në pah edhe rolin kyç të mërgatës shqiptare në Zvicër, të cilën e cilësoi si motor të zhvillimit të shoqërisë zvicerane.
“Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta: lirinë, demokracinë dhe solidaritetin. Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në përpjekjet tona për forcimin e pozitës ndërkombëtare.”, theksoi Osmani, duke falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com