Presidentja Osmani nga Brukseli: Mbështetja nga Parlamenti Evropian garancë për rrugën evropiane të Kosovës

22 Qershor, 2022 - 1:35 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Në takim me znj. Metsola, Presidentja Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane. Për këtë si dhe për mbështetjen e vet Presidentes Metsola, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. 

“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit. 

Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. / KultPlus.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Të ngjajshme