Presidentja Osmani për Adem Demaçin: Historia e tij është histori evendosmërisë së palëkundur (VIDEO)

26 Korrik, 2023 - 11:38 am

 

 

Sot bëhen pesë vjet që kur vdiq veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik të vitit 2018 u nda nga jeta. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi për angazhimin e tij politik, vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Në këtë përvjetor, Demaçin e ka kujtuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se lufta për drejtësi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kauza për Kosovën Republikë portretizohen më së miri në jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare- Adem Demaçi.

“Liria e popullit ishte më e rëndësishme se sa ajo individuale. Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur, guximit dhe vullnetit të paepur për të mbijetuar pavarësisht rrethanave. Përgjatë gati tri dekadave të burgut, ai mbajti peshën e padrejtësisë, duke kultivuar humanizmin dhe ruajtur
shpresën për një të nesërme më të mirë.

Vetëmohimi i tij është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit, ndaj e kujtojmë me respekt në këtë përvjetor e përherë!”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme