Presidentja Osmani për koncertin e Armend Rexhepagiqit: Një natë magjike e mbushur me emocion dhe nostalgji

20 Korrik, 2025 - 3:01 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas koncertit të mbajtur nga artisti i njohur Armend Rexhepagiqi, duke e quajtur ngjarjen një natë të paharrueshme që bashkoi emocionin, kujtimin dhe dashurinë për muzikën.

“Në një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme,” – shkruan Osmani, duke vlerësuar thellësisht ndikimin që artisti ka pasur në breza të tërë.

Ajo e përshkroi Rexhepagiqin si një artist me zë që “sfidon kohën” dhe një shpirt që “rrëmben zemrat e shumë gjeneratave”, duke e cilësuar performancën si një udhëtim ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.

“Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostalgi dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!” – përfundon mesazhin e saj Presidentja Osmani./KultPlus.com

Të ngjajshme