6 Maj, 2025 - 10:23 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Kaqusha Jasharit, një prej personaliteteve më të njohura të politikës kosovare. Përmes një mesazhi ngushëllimi, ajo ka shprehur dhimbjen për humbjen e një gruaje që, sipas saj, la gjurmë të pashlyeshme në periudha vendimtare për vendin.
“Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të znj. Kaqusha Jashari, një prej figurave më të njohura të historisë politike të Kosovës moderne”, thuhet në deklaratën e Presidentes.
Osmani ka vlerësuar kontributin e Jasharit si të pandërprerë dhe të gjithanshëm — si zë i fuqishëm në kohë të vështira, themeluese partie, deputete e zgjedhur nga qytetarët dhe njëkohësisht si krijuese në fushën e artit.
Në mesazhin e saj, Presidentja ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës, duke u bashkuar me ta në dhimbje dhe duke i inkurajuar të gjejnë forcë në këto momente të vështira.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Kaqusha Jasharin,” përfundon deklarata e Presidentes Osmani./KultPlus.com