2 Maj, 2025 - 7:45 pm
Në 26-vjetorin e masakrës së Studimes në komunën e Vushtrrisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim dhe dhimbje viktimat e asaj që ajo e cilësoi si një nga aktet më mizore të regjimit gjenocidal serb.
Në një deklaratë publike, Presidentja rikujtoi se më 2 maj të vitit 1999, brenda vetëm dy orësh, 116 civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
“Plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë e do të përcillet brez pas brezi”, u shpreh Osmani.
Ajo nënvizoi gjithashtu se drejtësia për viktimat mbetet një ndër prioritetet kyçe të shtetit të Kosovës, ndërsa martirët e Studimes i cilësoi si “testament i përjetshëm i lirisë sonë”.
“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes,” përfundoi ajo.
Masakra e Studimes mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, që vazhdon të kërkojë drejtësi ndërkombëtare dhe njohje historike të dhimbjes së popullit shqiptar./KultPlus.com