26 Korrik, 2025 - 3:39 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur nderimin dhe mirënjohjen më të thellë për 24 pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si heronj të vërtetë që me guximin dhe përkushtimin e tyre mbrojtën jetën, lirinë dhe sovranitetin e vendit.
Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani ka veçuar emrat e Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, duke thënë se ata janë “heronj të ditëve të sotme” që i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt. Ajo theksoi se bashkë me ta kujtohen edhe 22 policë të tjerë, emrat e të cilëve do të mbeten përjetësisht në kujtesën e kombit.
“Ata nuk zgjodhën rrugën më të lehtë, por rrugën e nderit, betimit dhe zotimit për atdhe!”, u shpreh Osmani, duke theksuar se sakrifica e tyre është burim krenarie dhe frymëzimi për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës sot.
Presidentja gjithashtu vlerësoi përkushtimin e mijëra grave dhe burrave që shërbejnë çdo ditë në radhët e Policisë së Kosovës, duke mbrojtur vendin me kurajë, përgjegjësi dhe dashuri për Republikën. Sipas saj, në kohë paqeje apo tensioni, në veri apo në jug, Policia e Kosovës mbetet “fortifikata e sigurisë” në çdo cep të territorit.
“Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës! Faleminderit Policisë sonë, e cila vazhdon ta mbrojë atdheun me besnikëri!”, u shpreh Osmani në fund.