30 Maj, 2025 - 6:10 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan. Delegacioni u shoqërua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Në qendër të diskutimeve ishte partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Presidentja Osmani theksoi se aleanca me SHBA-në mbetet shtylla kryesore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ajo nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm amerikan në rajon, duke vlerësuar rolin kyç që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në të kaluarën.
Presidentja shprehu gjithashtu mirënjohjen për praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Kosovë, duke theksuar se ky kontribut ka qenë thelbësor për sigurinë e vendit në periudha të ndërlikuara.
Në përfundim të takimit, Presidentja Osmani falënderoi kongresistet për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës, duke ritheksuar se bashkëpunimi me Washingtonin është jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit./KultPlus.com