Presidentja Osmani pret Ramë Lahajn dhe yjet e Festivalit Ndërkombëtar të Operës në Kosovë

30 Korrik, 2025 - 9:24 am

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me yjet e operës botërore që po marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon.

Në këtë takim solemn, Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe artistët e ftuar special të këtij edicioni, përfshirë Ramón Vargas, një nga tenorët më të shquar të skenës operistike botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja me famë ndërkombëtare nga Gjeorgjia, si dhe dirigjentin Besmir Vokopola, i njohur për bashkëpunimet e tij me institucione prestigjioze të muzikës klasike.

Presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e Ramë Lahajt në promovimin e Kosovës përmes artit dhe kulturës, duke theksuar rolin e tij si ambasador kulturor në skenat më të mëdha të operës në botë. Ajo gjithashtu ka përgëzuar përkushtimin e tij për të sjellë artistë të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë dhe për të ngritur standardet e artit operistik në vend.

“Festivali ‘Rame Lahaj’ tashmë është bërë një ngjarje kulturore me dimension evropian, që i jep Kosovës një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike,” – u shpreh Presidentja Osmani.
Festivali, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të pestë, ka arritur të bëhet një platformë elitare për bashkëpunim artistik dhe përfaqësim të denjë të kulturës kosovare në botë./KultPlus.com

Të ngjajshme