7 Gusht, 2025 - 11:45 am
Presidentja e Republikës së Kosovës ka shprehur falënderimin e saj të sinqertë ndaj Donald J. Trump për përkrahjen e vazhdueshme dhe për fjalët e fuqishme që ai ka dhënë në mbështetje të partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke publikuar kështu edhe letrën e plotë që pranoi nga Trump, i cili ndër të tjera i drejtohet Osmanit me “mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara”.
Në falënderimin që publikoi në llogarinë e saj në Facebook, Vjosa Osmani, theksoi edhe rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-të, duke e quajtur aleancën me Uashingtonin një shtyllë kyçe për paqen, zhvillimin dhe sigurinë në rajon. Presidentja ritheksoi përkushtimin e saj për të forcuar më tej këtë partneritet strategjik:
“Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.”
Ky falënderim mirënjohjeje dhe publikimi i letrës së Trump, vijnë në një kohë kur bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-ve mbetet më i rëndësishëm se kurrë, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar të vendit.
Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht nga figura të larta politike si Donald Trump, konsiderohet si një element kyç në avancimin e interesave të Kosovës në skenën globale./KultPlus.com