Presidentja Osmani shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore në Kosovë, pas tërmetit në Turqi

7 Shkurt, 2023 - 4:53 pm

Rëndohet çdo orë e më shumë bilanci tragjik i tërmeteve që kanë goditur ditën e djeshme pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë.

Ndërsa, sot nëpërmjet një statusi, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo tragjedi e përmasave shkatërrimtare ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.

Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen.

Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar.

Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja.

Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë. / KultPlus.com

Të ngjajshme