Presidentja Osmani takohet me emisarin francez, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike

26 Mars, 2024 - 8:10 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës franceze për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Sipas një komunikate të lëshuar nga presidenca, në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, transmeton Klankosova.tv.

“Gjatë takimit Presidentja Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës”, thuhet në njoftim.

“Më tej, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë, ku Presidentja shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Francën”.

Osmani dhe Troccaz biseduan edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës.

Të ngjajshme