10 Qershor, 2025 - 10:41 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Dr. Bujar Bukoshi, një prej figurave kyçe të historisë politike të Kosovës në vitet e 90-ta.
Në mesazhin e saj drejtuar familjes Bukoshi, Presidentja Osmani e cilëson Dr. Bukoshin si një mjek me vizion dhe burrë shteti me përkushtim të pashoq, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën më të vështirë për popullin e Kosovës.
“Ish-kryeministri në ekzil do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë,” ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se Dr. Bukoshi i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri për dekada me radhë, duke mbetur një ndër figurat e rëndësishme në historinë moderne të Kosovës. Në këtë moment të dhimbshëm, Presidentja ka shprehur solidaritetin e saj me familjen, duke i inkurajuar që të gjejnë forcë në përballimin e kësaj humbjeje.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Dr. Bujar Bukoshin,” përfundon mesazhi i saj./KultPlus.com