Prezantohet strategjia për kinematografinë, studio për filma vendas e të huaj

30 Korrik, 2025 - 7:05 pm

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka prezantuar platformën e re dixhitale dhe rregulloren e re të aplikimit dhe financimit për projektet filmike e audiovizuale.

Në një takim me kineastë dhe aktorë të industrisë, drejtori i QKK-së, Jonid Jorgji, shpalosi strategjinë e re kombëtare për zhvillimin e industrive kreative dhe audiovizuale.

“QKK është një institucion që financon filma, tani ka lindur nevoja që gama e financimeve të zgjerohet më tepër. Zgjerimi i mbështetjes financiare për serialet televizive, video-lojërat, realiteti virtual dhe i shtuar (VR/AR).  Objektivi është ndërtimi i një industrie audiovizuale të qëndrueshme, konkurruese dhe të integruar në tregun evropian.  Ligji i ri për audiovizualin është nevojë imediate dhe kemi nisur punë paraprake. Shpresojmë në shtator që të gjejmë konsensus dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Jorgji.

Ligji do të përfshijë edhe implementimin e mekanizmit “tax rebate” që do t’u kthejë deri në 31% të shpenzimeve produksioneve të huaja që xhirojnë në Shqipëri.

Në këtë kontekst, do të krijohet “Albanian Film Commission”, një strukturë që do të ketë për detyrë të promovojë Shqipërinë si destinacion filmik ndërkombëtar dhe tërheqje të studiove si Netflix, Amazon dhe Disney.

Jorgji bëri të ditur se po diskutohen hapësira të dedikuara për studio të mëdha, mes tyre Kombinati Metalurgjik në Elbasan.

Rijetësimi i kinemave ekzistuese në vend dhe krijimi i një rrjeti të organizuar për shpërndarjen e filmit shqiptar është një tjetër pikë e parashikuar në strategji.

“Shteti dhe bashki të ndryshme kanë filluar të rijetësojnë kinema, jo vetëm në Tiranë por dhe në qytete të tjera. Do të krijojmë një sistem, ku prodhimet shqiptare apo bashkëprodhimet të qarkullojnë në këto kinema dhe kështu rrisim monetiziminm, të ardhurat që këta filma sjellin”, u shpreh kreu i QKK.

Mbështetje do të ketë edhe për programet mësimore në shkolla të specializuara si “Marubi” dhe “Catalyst”.

QKK është pranë finalizimit të një marrëveshjeje dypalëshe me CNC-në franceze për bashkëprodhime, si dhe pjesë e iniciativës rajonale “Balcanica” që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Strategjia e re dhe rregulloret e përmirësuara synojnë të krijojnë një klimë të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke e pozicionuar Shqipërinë si një qendër dinamike të industrisë audiovizuale në Ballkan.

Të ngjajshme