Princi William: Shoqëria globale të bashkohet për të riparuar planetin

17 Tetor, 2021 - 8:15 pm

Princi britanik William bëri thirrje që shoqëria të bashkohet në riparimin e planetit, pak para ceremonisë inauguruese të shpërndarjes së parë të çmimit të tij për mjedisin.

Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate, do t’u bashkohen sot një morie personazhesh të famshëm, në ceremoninë e Çmimit Earthshot.

Duka i Kembrixhit e nisi këtë iniciativë të shpërndarjes së çmimit të tij ambicioz për të gjetur zgjidhje për problemet mjedisore të planetit dhe për të kapërcyer pesimizmin e ndjerë nga shumë njerëz për të ardhmen e tij.

Gjyqtarët e Çmimit Earthshot përfshijnë sir David Attenborough, aktoren Cate Blanchett dhe këngëtaren Shakira, të cilët do të ecin në tapetin e gjelbër në ngjarjen që po mbahet në Pallatin Alexandra në veri të Londrës.

“Ne jemi gjallë në kohën më të rëndësishme në historinë njerëzore … Veprimet që zgjedhim ose zgjedhim të mos ndërmarrim në 10 vitet e ardhshme do të përcaktojnë fatin e planetit për 1 000 vitet e ardhshme”, tha Princi William, në një film të shkurtër të regjistruar në London Eye.

“Një dekadë nuk duket e gjatë, por njerëzimi ka një rekord të jashtëzakonshëm të aftësisë për të zgjidhur të pazgjidhshmen”.

“Shumë nga përgjigjet janë tashmë atje… por ne kemi nevojë që të gjithë, nga të gjitha fushat e shoqërisë, të ngrenë ambicien e tyre dhe të bashkohen në riparimin e planetit tonë”.

“Të ardhmen e kemi ne në dorë që ta përcaktojmë dhe, nëse e vendosim këtë në mendjen tonë, asgjë nuk është e pamundur”.

Ed Sheeran, Coldplay dhe KSI do të performojnë gjatë ceremonisë, kurse aktorët Dame Emma Thompson, Emma Watson dhe David Oyeloëo, si edhe sulmuesi i Liverpool, Mo Salah, do të shpërndajnë çmimet.

Ceremonia vjen para konferencës COP26 të OKB-së për ndryshimet klimatike, në Glasgoë, ku do të marrë pjesë Mbretëresha Elizabeth II, Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, si edhe Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kornuallit./ /atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme