Prishet koalicioni qeverisës në Komunën e Prishtinës

8 Shkurt, 2024 - 3:28 pm

Është prishur koalicioni qeverisës në Komunën e Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur Uran Ismaili i cili është shprehur se po e shkëpusin koalicionin qeverisës.

Ky është postimi i plotë i Ismailit:

Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc.

Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.

Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë.

Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitiat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet. / KultPlus.com

Të ngjajshme