Prishtina feston Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, sjell aktivitete të shumta

31 Maj, 2021 - 11:03 am

Aktivitete të shumta festive do të realizohen rreth dhe nga fëmijët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me ç’rast kjo ditë do të jetë një ditë sensibilizimi kundër dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në Komunën e Prishtinës ka organizuar gjithsej nëntë aktivitete për të shënuar 1 qershorin, shkruan KultPlus.

1 qershori, festa e dashur për secilin fëmijë do të sjell mjaft aktivitete të cilat do t’i kushtohen vetëm botës së tyre. Prandaj, për të shënuar këtë ditë, Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në Komunën e Prishtinës ka organizuar një sërë aktivitetesh ku secili fëmijë do të mund ta gjejë veten.

Këto aktivitete përfshijnë: Antarësimi pa pagesë për fëmijë në Bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani’’ në Bibliotekën në Dardani, sektori i fëmijëve duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 16:00, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës në Kuvendin Komunal të Komunës së Prishtinës duke filluar nga ora 11:00, Shfaqja për fëmijë “Lira dhe Titi” në Teatrin “Dodona” duke filluar nga ora 12:00, Xhaxhi Piktori në Prishtinë në KultPlus Caffe Gallery, në Ulpianë te Fontana duke filluar nga ora 16:00, Pingpong për fëmijë në Amfiteatrin e Prishtinës, Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ duke filluar nga ora 16:00, Fëmijët me biçikleta në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ duke filluar nga ora 16:00, Koncerti muzikor: “Fëmijët e Prishtinës” në Sallën e Kuqe duke filluar nga ora 17:00, Drive in Cinema for Kids – Filmi “INSIDE OUT” në Parkingun mbrapa Pallatit të Rinisë duke filluar nga ora 19:00 si dhe ‘Anti Bully-21’ organizuar nga OJQ “ETEA” në Kino Armata, duke filluar nga ora 20:00.

Andaj, secili fëmijë së bashku më prindërit e tyre janë të ftuar të bëhen pjesë e këtyre aktivitete të cilat do të mbahen në përputhshmëri të plotë me masat e vendosura nga Qeveria për parandalimin e virusi Covid-19.

Prishtina Feston është pjesë e 22 aktiviteteve që Komuna e Prishtinës i organizon për nder të 22-vjetorit të çlirimit të qytetit. / KultPlus.com

Të ngjajshme