16 Qershor, 2025 - 11:56 am
Kryeqyteti i Kosovës do të jetë sërish mikpritës dhe përkrahës i Festivalit të Këngës, një ngjarje e rëndësishme kulturore e organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Marrëveshja për mbështetjen e këtij festivali u nënshkrua sot mes kryetarit të Prishtinës dhe drejtorit të RTK-TV, z. Rilind Gërvalla.
Në njoftim thuhet se festivali ka vlera të spikatura artistike dhe kulturore, duke krijuar hapësirë për shprehjen autentike të krijimtarisë vendore dhe për fuqizimin e identitetit kulturor.
Ky bashkëpunim vlerësohet si shprehje e përkushtimit për një kryeqytet që e nxit dialogun artistik dhe e sheh artin si shtyllë thelbësore të zhvillimit shoqëror.
“Besojmë në një kryeqytet që frymon me art, ku kultura nuk është në margjinë, por në qendër,” thuhet në deklaratën e Ramës./KultPlus.com