25 Korrik, 2025 - 4:40 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi së fundmi statistika mbi ngjarjet kulturore të mbështetura nga MEKI, duke nënvizuar rritjen e dukshme të investimit në këtë sektor.
Gjatë vitit 2025, janë mbështetur 933 aktivitete kulturore dhe krijuese, një shifër që përfaqëson më shumë se dyfishin e vitit të kaluar. Këto ngjarje përfshijnë festivale, ekspozita, koncerte, panaire artizanati, lexime letrare dhe shfaqje, të cilat kanë pasuruar kalendarin kulturor në mbarë vendin.
Në total, rezultojnë 275 projekte fituese, një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2024, të shpërndara në katër skema mbështetjeje. Konkretisht: 129 projekte i përkasin kategorisë së ngjarjeve kulturore dhe krijuese, 45 projekte janë programe kulturore të organizatave, 54 projekte janë mbështetur nga Fondi i Krijimtarisë, 47 projekte nga Fondi i Artizanëve, transmeton KultPlus.
Ministri Gonxhja e cilësoi këtë si “vitin e rekordit” për mbështetjen ndaj kulturës.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij viti është edhe përfshirja më e gjerë e të rinjve, ku 51% e përfituesve janë mbështetur për herë të parë.
Mbështetja financiare gjithashtu ka njohur një rritje të ndjeshme, me një rritje prej 141% krahasuar me vitin 2024, duke arritur në vlerën 300 milionë lekë.
Në kuadër të këtyre projekteve dhe aktiviteteve, janë punësuar dhe angazhuar 1,566 individë, mes tyre artistë, artizanë, menaxherë, teknikë dhe profesionistë të fushës së kulturës.
Ministri Gonxhja ka bërë të ditur se në vitin 2026, MEKI do të angazhohet edhe më tej në mbështetjen e artistëve, qendrave kulturore dhe institucioneve të artit, duke vijuar kështu përforcimin e ekosistemit kulturor në vend./atsh/KultPlus.com