Projektbuxheti 2023, Rama: 50 miliardë lekë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e luftës së Putinit

9 Nëntor, 2022 - 12:57 pm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të vijojë të mbështesë qytetarët edhe në vitin që vjen duke mos u lëshuar atyre barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023, kryeministri Rama tha se fatura për të mbrojtur qytetarët nga kjo rritje e çmimit të energjisë pritet të shkojë afërsisht 50 miliardë lekë, deri në fund të këtij viti.

“Buxheti i vitit 2023 diskutohet në kushtet e një tjetër krize, e treta radhazi, e lidhur me ato paratë që keni marrë ju”, iu drejtua kryeministri Rama opozitës duke nënkuptuar akuzat për financim rus.

Rama tha se qeveria përmes këtij projektbuxheti do të vijojë të mbështesë qytetarët dhe biznesin për të përballuar këtë goditje.

“Ne jemi këtu për të përballuar atë goditje që është arsyeja e luftës. Vladimir Putin nuk e ka filluar luftën për të marrë copa nga Ukraina, por për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike, për të ndryshuar ekuilibrat e kësaj bote, ku ju i bëni hije kot”, iu drejtua ai sërish opozitës.

Rama tha se Shqipëria është pjesë e asaj bote të cilës i ka hapur luftë Rusia, jo duke hedhur bomba këtu, por duke goditur përmes energjisë së kthyer në armë dhe përmes inflacionit të luftës, që dihet që është një armë më vete.

“Dhe ajo fatura e energjisë që shkon te familjarët, dhe ajo dora e inflacionit që kap çdo dorë që shtrihet për të blerë diçka, janë pjella të kësaj lufte. Ne jemi këtu për të konfirmuar vazhdimësinë e një përpjekjeje që ka bërë deri sot që asnjë familje shqiptare të mos paguajë asnjë qindarkë më shumë për energjinë se sa e paguante para se të fillonte kriza”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë, vuri në dukje se kriza energjetike të cilën ai e kishte paralajmëruar që në tetor të vitit 2021, ishte preludi i luftës dhe sipas tij, çmimet e energjisë shkuan në stratosferë, ndërkohë që në Shqipëri çdo familje dhe biznes i vogël paguan të njëjtin çmim si para krizës dhe luftës.

“Kjo vjen nga fakti që kjo qeveri i del për zot familjeve, biznesit të vogël, duke i mbrojtur me një mburojë financiare prej 460 milionë euro. Këto janë nga buxheti, që ato faturat e energjisë të vazhdojnë të shkojnë të njëjta në dyert e çdo familjeje shqiptare. Si po e ndjejmë në shumë vende siç po e ndjejnë shqiptarët që jetojnë jashtë, jo se jemi më të zotët, por ne e kemi marrë këtë vendim të sanksionuar edhe në buxhetin e vitit 2023. Ne do të mbrojmë me çdo çmim, çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset”, tha Rama.

Rama tha se në buxhetin e vitit që vjen janë 50 miliardë lekë që shkojnë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e kësaj lufte, nga goditja në çmimin e energjisë, bizneset e vogla nga goditja marramendëse e inflacionit.

“Nuk është rastësi që Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, sepse ka çmimin e energjisë të mbrojtur dhe për familjet dhe për bizneset, sepse nëse do të rrisnim çmimin për bizneset e vogla, detyrimisht do t’ja përcillnim një pjesë të goditjes edhe vet familjeve”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit Rama, buxheti paguan deri në 80 % të çdo fature të energjisë së familjeve shqiptare. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme