Projekte të reja të ‘The Beatles Anthology’ do të publikohen këtë vjeshtë

22 Gusht, 2025 - 10:27 pm

Fansat e “The Beatles” do të kenë arsye për t’u gëzuar; këtë vjeshtë vijnë përmbajtje të reja nga grupi legjendar, në ekran, në muzikë dhe në botime, sipas AP.

Sipas një njoftimi zyrtar, “The Beatles Anthology” do të rikthehet “në formën e tij përfundimtare”.

Dokumentari muzikor i vitit 1995, që tregon udhëtimin e grupit nga ditët në Liverpool deri te fama botërore, është restauruar e remasterizuar dhe do të ketë edhe një episod të nëntë.

Ky do të publikohet në “Disney” më 26 nëntor.

Episodi i ri përfshin pamje prapaskenash të Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr gjatë viteve 1994-1995, ndërsa punonin për serinë dhe reflektonin mbi jetën e tyre si ” The Beatles”.

Giles Martin, djali i producentit legjendar George Martin, ka krijuar përzierje të reja audio për shumicën e këngëve të përfshira.

Më 21 nëntor do të dalë edhe muzika e re, albumi “Anthology 4”,  së bashku me versionet e remasterizuara të tre albumeve të para.

Albumi i katërt do të përfshijë 13 demo të papublikuara më parë, regjistrime sesioni dhe materiale të rralla.

Ai do të ketë gjithashtu  versione të reja të hiteve “Free As A Bird” dhe “Real Love”, ndërsa klipi origjinal i “Free As A Bird” është restauruar.

Më 14 tetor publikohet edhe botimi i 25-vjetorit të librit “The Beatles Anthology”, ku katër anëtarët dhe bashkëpunëtorë të tyre si Neil Aspinall, George Martin dhe Derek Taylor tregojnë historitë e tyre.

Ndërkohë, fansat përgatiten edhe për katër filma artistikë të drejtuar nga Sam Mendes, ku secili do të fokusohet te një anëtar i  “The Beatles”, Paul Mescal si McCartney, Joseph Quinn si Harrison, Barry Keoghan si Starr dhe Harris Dickinson si Lennon. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme