Projekti për ndërtimin e muzeut përkujtimor në Francë, një shërim i plagëve të terrorizmit

31 Mars, 2021 - 2:51 pm

Pas sulmeve të shumta terroriste që lanë pas një numër të madh vdekjesh, në mesin e tyre edhe plot fëmijë, Franca, njëra ndër shtetet që më së shumti ka hasur në sulme të cilat lanë të vdekur rreth 300 njerëz dhe 1000 të plagosur, po planifikon të ndërtojë një muze për të shëruar plagët e shtetit, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Këto sulme që po konsiderohen si më të tmerrshmet në Evropë, krijuan mjaft trauma fizike dhe psikike, të cilat ende po vazhdojnë edhe sot duke lënë plagë të hapura, andaj Franca po planifikon të ndërtojë një muze i cili do të përndjekë zhvillimet e terrorizmit përgjatë viteve të fundit dhe e cila do të kontribuoj në përballjen me këto fatkeqësi.

Muzeu mendohet të inaugurohet në një vend të përzgjedhur në Paris në vitin 2027, e që për synim ka shfaqjen e eksperiencave të shteteve të cilat janë prekur nga terrorizmi përgjatë 50 viteve të fundit, pasi që edhe vetë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në shtator të vitit 2018, u zotua për të krijuar një muze përkujtimor i cili vendos viktimat e sulmeve terroriste në zemër të kujtimeve të tyre.

Henry Rousso, një historian francez, i cili ndihmoi në krijimin e Muzeut Memorial të Caen dhe Memorialin e Shoah në Paris, duke përkujtuar viktimat e Holokaustit, po mbikëqyr këtë projekt të cilën ai e konsideron si një formë rezistence përmes kulturës, inteligjencës dhe transmetimit të eksperiencës dhe përmes së cilës edhe autorët e sulmeve do të paraqiten gjithashtu në muze.

“Fakti që ne jemi duke krijuar një muze përkujtimor përderisa fenomeni i terrorizmit nuk ka asnjë shans të zhduket në vitet që vijnë është një mënyrë për të treguar aftësinë tonë për të bërë një hap prapa”, tha Rousso në një intervistë.

Sipas Rousso, muzeu përkujtimor francez nuk do t’i kushtohet vetëm një sulmi në veçanti por do të shfaqë ekspozita, konferenca dhe filma mbi sulmet në të gjithë botën, dhe një retrospektivë historike mbi terrorizmin në Francë duke filluar nga viti 1974 kur Carlos Çakalli kreu bombardimin e një farmacie në Paris dhe kur Franca filloi të jepte “një medalje njohjeje” për viktimat e sulmeve terroriste.

Memoriali do të rendisë emrat e viktimave të sulmeve terroriste në Francë dhe viktimave franceze të sulmeve jashtë vendit, ndërkohë që vendndodhja e saktë e muzeut pritet të vendoset në pranverën e ardhshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme