Promovohet aplikacioni “Prishtina ecë”, një hartë kulturore për qytetin e Prishtinës

10 Tetor, 2019 - 2:03 pm



Qendrim Badalli

Fotografi të ndryshme të objekteve më të njohura kulturore të Prishtinës kishin zënë vend në “Dit e Natë”, lokalin ku do të bëhej promovimi i aplikacionit “Prishtina ecë”, aplikacion me video, tekste si dhe fotografi, për ta sjell një hartë kulturore në Prishtinë, hartë e cila deri tani po mungonte, shkruan KultPlus.

Mysafirët po vini, teksa vërehej prani shumë e madhe e mysafirëve të huaj në ngjarje, të cili njëzëri e vlerësuan lartë punën që Iniciativa “Oral History” e ka bërë në këtë projekt në një rrugëtim jo të lehtë një-vjeçar.

“Ju falënderoj shumë që keni ardhur sot, jemi duke përmbyllur një proces një vjeçar të hulumtimit të Prishtinës, që ka rezultuar me më shumë intervista dhe me plaftormën e re “Prishtina ecë”, për të cilën sot jemi këtu”, tha në fjalën hyrëse, drejtoresha ekzekutive e Iniciativës “Oral History”, Ermirë Krasniqi.

Hillen Francke, nga Zyra e Bashkimit Europian, tha se ky aplikacion në radhë të parë do t’i shërbejë asaj.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu, për të parë prezantimin e këtij aplikacioni. Unë kam ardhur këtu para pesë javësh, dhe unë mund ta përdor këtë aplikacion së pari për veten time”.

Ajo më pas ka folur konkretisht për ndihmën që institucionet e BE-së në Kosovë kanë dhënë për zhvillimin e kulturës.

“Që nga viti 2007 ne kemi dhënë mbi 10 milion euro mbështetje vetëm për projekte kulturore, për restaurimi dhe projekte tjera. Institucionet e Bashkimit Europian janë të interesuara që të vazhdojnë mbështetjen për kulturën në të njëjtin nivel”, ka shtuar ajo.

Marta Gazideda, nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se kjo organizatë ka bërë një punë të mrekullueshme.

“Një falënderim special dua ta bëj për organizatën “Oral History” për këtë punë të mrekullueshme që ju e keni bërë”. Tutje, ka folur edhe për përparësinë që ofron digjitalizimi në ndërtimin dhe paraqitjen e identitetit kulturor.

“Përmes digjitalizimit të ngjarjeve personale në këtë platformë është një mundësi e mirë të paraqitet identiteti kulturor i komuniteteve në Prishtinë”.

Ermirë Krasniqi, drejtore ekzekutive nga Iniciativa për Oral History, në një prononcim për KultPlus, ka folur për projektin në mënyrë më të detajuar.

“Projekti ka zgjatë një vjet, kemi filluar në gjysmën e shtatorit të vitit të kaluar ku kemi intervistuar shumë njerëz, kemi bërë diku rreth 30 intervista me qytetarë të Prishtinës, por meqë ne kemi edhe arkivin në “Oral History”, kemi pasur një numër të madh të intervistave të cilat i kemi përdorur për ta plotësuar projektin. Kjo ka qenë pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me personat që kanë punuar në aplikacion dhe që kanë nderuar një arkitekturë që ka mundur ta akomodojë gjithë hulumtimin”

Krasniqi, ka thënë se ky projekt ka karakter multientik dhe multikulturor.

“Në shumë prej intervistave tona kemi qytetarë që vijnë nga komuniteti turk, goran, serbë, kroat, këtë e kemi bërë sepse trashëgimia e tyre nuk shihet sepse ne e kemi fshi kontributin e tyre në zhvillimin e qytetit”.

Chester Eng, i pranishëm në ngjarje, tha se lansimi i aplikacionit është një hap i rëndësishëm për sferën turistike të Prishtinës si dhe për gjithë qytetarët e saj.

“Platforma “Prishtina ecë” është një platformë për qytetarët e Prishtinës, për turistët si dhe për vendet e tjera që ofron shumë mundësi për të mësuar më shumë për Prishtinën. Është shumë e rëndësishme për zhvillimet turistike në Prishtinë dhe për njohjen dhe mirëkuptimin më të madh mes  komuniteteve të ndryshme në Prishtinë dhe Kosovë.”

Aplikacioni përbëhet prej katër rrugëtimeve tematike: Nga a la Turka në a la Franga; Me asfalt drejt progresit; Të ‘90-tat e gjata; Peizazhe të kujtesës, të cilat gjithsej përmbajnë tetëdhjetë e katër pika të interesit të mbështetura nga njëqind e dhjetë video të shkurtra që zbulojnë qytetin nga perspektiva e qytetarëve.

Kjo ngjarje vazhdoi me një koktej rasti, ku të pranishmit kishin mundësi t’i shikonin disa nga fotografit e zgjedhura të objekteve kulturore si dhe të shprehnin përshtypjet e tyre për aplikacionin në fjalë. / KultPlus.com



Të ngjajshme