Promovohet monografia ‘Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane’

2 Dhjetor, 2021 - 4:13 pm

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u promovua libri “Dijetarë Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880 – 1912) nga autorët Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi, Ramadan Shkodra, botim i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.

Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIRK, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen, – biografitë e 195 personaliteteve shqiptare që kanë dhënë kontribut në jetën arsimore, kulturore dhe fetare gjithandej ku vepruan, pra edhe në viset shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX.

Në këtë ngjarje morën pjesë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i BIRK-ut, Myftiu Naim Tërnava, Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, profesorë të Universitetit të Prishtinës, dhe personalitete tjera.

Ministri Çeku në fjalimin e tij foli për rëndësinë që kanë hulumtimet e tilla për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë e vendit tonë, ndërsa përgëzoi autorët për punën dhe përkushtimin rreth pasqyrimit të biografive të personaliteteve të shquara të dijes nga të gjitha trojet shqiptare.

Ndërsa, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha që kjo monografi është një projekt i cili ka ndriçuar veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare të panjohura deri më tani që kanë vepruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme