Promovohet monografia e arkeologut Gëzim Hoxha në Akademinë e Shkencave

31 Mars, 2022 - 12:25 pm

Dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Krishtërimi i hershëm në provincat Praevalis dhe Dardania” (Studime arkeologjike) i arkeologut të njohur Gëzim Hoxha, akademik i asociuar.

Promovimi u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Komisioni i përhershëm i histori-arkeologjisë me praninë e kryetarit, akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë dhe me pjesëmarrjen e At Pashko Gjoçaj OFM, ministri Provincial i Provincës Franceskane Shqiptare, botues i veprës. Ishin të pranishëm, akademikë, studiues e arkeologë.

Moderimi u bë nga prof. Neritan Ceka, Kryetar i Komisionit të përhershëm të histori-arkeologjisë. Ai u shpreh se libri është sintezë e një pune të gjatë të kërkimit arkeologjik dhe historik dhe tezave që kanë dalë në dritë nga kërkimet në terren të dy dhjetëvjeçarëve të fundit.

Duke e konsideruar si një libër të një stili të ri, jotradicional, por me ilustrime të zbulimeve arkeologjike nga fillimi deri në fund, prof. Ceka i konsideroi kërkimet fondamentale që kanë interes lidhur me problematikat brenda “Historisë së shqiptarëve” që po hartohet nga Akademia e Shkencave. Ai tha se studimi nis që nga shekulli IV e VI, që vijon me krishtërimin e zhvilluar që përcakton edhe një nga faktorët kryesorë të krishtërimit të kombit shqiptar.

“Pa krishtërimin kombi shqiptar nuk do të ekzistonte”, tha prof. Ceka.

Ai ia dha fjalën arkeologut të antikitetit të vonë, prof. Skënder Muçaj, i cili u shpreh se janë me interes shkencor trajtimi i temës së krishtërimit të hershëm dhe atij institucional i shtrirë në një periudhë të historisë civile, siç është Antikiteti i Vonë, i shkurtër në kohë, por që mbajti peshën kryesore, atë të gjenezës shqiptare.

At Flavio Cavalini OFM, foli për identitetin e besimit fetar të territorit të trajtuar në libër dhe theksoi se situata e përgjithshme ka ndryshuar në gjysmën e parë të shekullit IV pas Kr., kur paqja kostandiane përuroi fillimin e një kohe, të mbarsur me një tolerancë më të favorshme. Është pikërisht kjo kohë, në të cilën arkeologu ynë fillon të gjejë terrenin pjellor për të ravijëzuar një kuadër të përgjithshëm të fillimeve të zbehta, por shumë domethënëse të procesit të kristianizmit në fjalë.

“Mbi bazën e burimeve materiale të rralla të gërmimeve arkelogjike në dispozicion, të identifikueshme qartësisht si kristiane, autori respekton shenjat e një bote në ndryshim dhe ritmin gradual të këtij procesi transformues”, tha At Flavio Cavalini dhe falënderoi për gjerësinë e kërkimit dhe prezantimit të zbulimeve në këtë monografi, duke kujtuar se arkeologu Gëzim Hoxha e ka vënë një gur miliar me volumin “Shkodra dhe Praevalis në antikitetin e vonë”, botuar në vitin 2003 duke ardhur në hartimin e kësaj monografie shumëplanëshe.

Akad. asoc. Gëzim Hoxha dha një vështrim të detajuar panoramik mbi të gjithë realitetin paleokristian të provincave Praevalis dhe Dardania dhe u shpreh se deri më sot ky terren ka pasur vetëm një vëmendje të përciptë në kuadrin e përgjithshëm të kërkimeve arkeologjike të organizuara në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor.

Ky punim është formësuar gradualisht së bashku me përvojën e punës në fushën e arkeologjisë për antikitetin e vonë, në terrenin gjeografik të Shqipërisë Veriore, Malit të Zi e Kosovës, i cili përbën territorin e dy provincave Praevalis dhe Dardania.

Një aspekt mjaft interesant të historisë së provincës së Prevalit (Praevalis) përbën njohja e gjurmëve të kristianizmit të hershëm, tha akad. asoc. Hoxha.

Kristianizimi në provincën e Prevalit na dëshmohet për herë të parë nëpërmjet disa materialeve arkeologjike në fillimet e shekullit IV, ku bëhet fjalë për fillimet e organizimit kishtar, i cili arrin një pikë kulmore në mesin dhe në gjysmën e dytë të shekullit VI. Ky proces mund të ndiqet deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit VII, kur dyndjet sllave krijuan një situatë të re në të gjithë hapësirën ballkanike.

Burimet historike, aktet kishtare dhe rezultatet e arkeologjisë, dëshmojnë një zonë me gërshetim të ndikimeve në kulturën materiale dhe shpirtërore. Këto ndikime vijnë si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja e Perandorisë së atëhershme. Ky fakt duket se është një reflektim i drejtpërdrejtë edhe i pozitës gjeografike dhe politike të provincës së Prevalit, si një provincë kufitare, pothuajse e barazlarguar nga Roma dhe Konstantinopoli.

Studimet nisin nga viti 412, në provincat e Ilirikut Lindor, ku përfshihej edhe Prevali, që ishin në juridiksionin kishtar të Romës dhe drejtoheshin nëpërmjet vikariatit të saj në Selanik. Por situata ka pësuar ndryshime të herëpashershme.Me gjithë krizën që kalonte organizimi kishtar në Ballkanin Perëndimor, gjatë shekullit V, në provincat jugore të tij, si Dalmaci, Prevalitanë e Dardani është vërejtur një jetë e pacënuar e kishës. Vetëm në vitin 484 shihet se kisha e Ilirikut rreshtohet në anën e Kostandinopolit. Në kohën e papës Hormisdas (514-523), gjendja ndryshoi përsëri dhe kisha e Ilirikut rikthehet nën vartësinë e papatit në vitin 516. Në vitin 535 peshkopata e Prevalit futet nën vartësinë e kryepeshkopatës së Justiniana Primës, të krijuar ex novo me iniciativën e vetë perandorit Justinian. Ndërkohë vërehet që Roma, në mënyrë të drejtpërdrejtë, vazhdon të ushtrojë përsëri pushtetin e vet.

Për librin pati dhe diskutime dhe pyetje drejtuar autorit.

Arkeologu Gëzim Hoxha në librin “Krishtërimi i hershëm në provincat Praevalis dhe Dardania” (Studime arkeologjike) ka paraqitur në një përmbledhje studimesh me të gjitha të dhënat e mbledhura, jo vetëm për monumentet, por edhe për kulturën materiale të krishtërimit të hershëm në territorin e provincave Praevalis dhe Dardania.

Në 370 faqet e librit janë paraqitur teksti studimor dhe një repertor i gjerë dhe i pasur ilustrimesh. Në 108 figurat e montuara në mënyrë integrale me tekstin, ka mbi 365 fotografi, 160 vizatime, 80 planimetri dhe 10 harta, ku janë paraqitur monumentet, nekropolet, kërkime në fushën e ikonografisë dhe mjaft aspekte nga kultura materiale e krishtërimit të hershëm, përfshirë pjesën më të madhe të territoreve arbërore./ KultPlus.com

Të ngjajshme