Promovohet raporti ‘Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid19

16 Korrik, 2020 - 1:47 pm

Xhemile Hysenaj

Sot në zyret e ADMOVERE-S është mbajtur promovimi i raportit ‘Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid19’, synimi i të cilit ka të bëjë me identifikimin dhe analizën e masave të ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës, me theks te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, shkruan KultPlus.

Promovimin e hapi hulumtuesja e këtij projekti, Aulonë Mehmeti, e cila falenderoi mediat për praninë e tyre, duke sqaruar se këtë raport kanë zgjedhur ta promovojnë vetëm në praninë e mediave pasiqë pandemia e pamundëson që ky promovim të bëhet me publik më të gjerë.

Hulumtimi ka zënë vend në tre komuna, atë të Ferizajit, Lipjanit dhe Fushë Kosovës. Qëllimi i këtij hulumtimi sipas dy hulumtuesëve, Aulonë Mehmeti dhe Durim Jasharaj, ka qenë identifikimi dhe shqyrtimi i masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me theks tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menagjimin e pandemisë Covid19.

Aulonë Mehmeti tregoi se për këtë hulumtim kanë analizuar të gjitha vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrië së Arsimit dhe Shkencës si dhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar qasje në dokumente dhe të dhëna publike nga këto institucione, ku poashtu kanë përcjellur edhe raportimet e mediave dhe të portaleve kryesore në lidhje me pandeminë.

‘Kufizimi kryesor i kësaj pjese të hulumtimit ka qenë mospërgjigja e ministrive në kërkesat tona’, tregon Aulonë Mehmeti.

Arsimimi, punësimi, mirëqenia, përkujdsi shëndetësor dhe strehimi, ishin këto pikat kyqe tek të cilat ishin fokusuar hulumtuesit e këtij raporti. Ku sipas tyre, secila prej këtyre pikave lë shumë për të dëshiruar.

Ky hulumtim kishte arritur në 21 përfundime, ku disa prej tyre i përmendi Durim Jasharaj, bashkëhulumtues në raport

-Deri më 1 qershor numri i të testuarëve për Covid19 në Republikën e Kosovës është 14.968, i të vdekurve 30, i të shëruarëve 837 dhe i rasteve aktive më virusin.

-Nga gjithsej 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid19, vetëm njëri vendim lidhet me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

-Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë Covid19 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

-Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kur e ka filluar organizimin e mësimit nga distanca. Mungesa e qasjes në internet dhe mungesa e pajisjeve teknologjike (laptop, tabletë) ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në procesin edukativo-arsimor të nxënësëve nga këto komunitete.

-Në komunën e Ferizajit, nga 828 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian 425 ose 51% nuk e kanë ndjekur mësimin nga distanca. Nga gjithsej 1500 nxënës që nuk e kanë ndjekur procesin mësimor, 28% janë nxënës nga radhët e komuniteteve. Në asnjërin nga nivelet e arsimimit nuk ka ndonjë mësimdhënës të rregullt nga radhët e komuniteteve. Janë vetëm tre mësimdhënës të angazhuar në mësimin shtesë.

-Në komunën e Lipjanit, nga 411 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në nivelin fillor dhe të mesëm, mësimin nuk e kanë ndjekur 115 ose 26%, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë, nga 30 nxënës, mëimin nuk e kanë ndjekur 19 ose 63% e tyre.

-Në komunën e Fushë Kosovës, mësimi në distancë është zhvilluar në të gjitha shkollat, që nga data 23 mars 2020. Mirëpo, pjesëmarrja në mësimin online e personelit shkollor, e as ajo e nxënësëve nga radhët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian nuk është prezantuar numërikisht.

Ky raport u përkrah nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe u botua nga ADMOVERE. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme