Publikohen pamjet nga ndërtimi i kishës te UP-ja, në ceremoni kishte marr pjesë edhe Arkani (VIDEO)

12 Qershor, 2021 - 10:34 am

Ishte dimër i vitit 1992. Serbët, për provokim dhe si tregues i forcës, kishin vendosur që në kampusin e Universitetit të Prishtinës të ndërtonin një kishë ortodokse.

Ndërhyrja në oborr të universitetit me ndërtimin e kësaj kishte ishte aq brutale sa pamjet që duken në videon e publikuar nga Albanian Post, të ditës së gurthemelit.

Diku dëgjohen këngë fetare ortodokse, pak më larg hidhen plumba në ajër, derisa në turmën e njerëzve shihen edhe kriminelë, si udhëheqësi i Paramilitarëve Serbë, Zheljko Razantovic, i njohur me nofkën Arkan.

Udhëheqësi i grupit famëkeq “Tigrat”, që më vonë ishte akuzuar për dhjetar krime kundër njerëzimit, përfshirë masakra, qindra vrasje dhe krime të tjera, shihet i rreshtuar duke dëgjuar një fjalim mallkues të një kleriku serb.

“Mallkuar qoftë secili pjesëtar i Malit të Zi – tri herë, ose tre mijë herë që nuk i beson nënës Rusi”, thotë kleriku në një pjesë të videos së shkurtër, derisa të tjerët i duartrokasin.

Jo më në acarin e dimrit, por në temperaturat e pranverës, 19 vjet më vonë, në të njëjtën hapësirë, në Kosovën shtet të Pavarur, klerikët serbë kanë mbajtur përsëri liturgji fetare.

Ceremonia u mbajt të enjten, derisa objekti që serbët i thonë “Krishti Shpëtimtar”, ende vazhdon të jetë një objekt pa leje.

Kjo liturgji, shënon edhe herën e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare. E fundit ishte mbajtur në luftë. Në vitin 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, tha të enjtën Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Por, Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit. /albanianpost/ KultPlus.com

Të ngjajshme