Publikohet kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022

29 Nëntor, 2021 - 7:30 pm

Aktivitete mes institucioneve artistike, por dhe bashkëpunime për trashëgiminë kulturore janë pjesë e marrëveshjes nënshkruar mes dy ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pas mbledhjes së dy qeverive, që u zhvillua në Labinot, Elbasan, dy ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku nënshkruan aktet, që konsistojnë në shkëmbimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, muzeve, bibliotekave, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Maragriti në një status të saj shprehet se institucionet janë ato që do të çojnë përpara marrëveshjet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Bibliotekat, muzetë, opera, arkiva, ansamble e parqe arkeologjike u angazhuan që atë bashkëpunim vëllazëror që kemi pasur deri më tani, ta fusin në korniza institucionale, me të vetmin qëllim: promovimin e kulturës shqiptare, atë që na bën unikë, një gur të çmuar mes kombeve!”, thotë ajo.

Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022 po hyn në vitin e tetë radhazi. Në njoftimin e ministrisë thuhet se përmes këtij bashkëpunimi, është realizuar përfshirja e aktiviteteve kulturore të të dy vendeve në një kalendar të përbashkët.

“Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe bashkëpunimi ndërmjet Galerive Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri dhe prezantimin e përbashkët në aktivitete ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Kalendari kulturor

Kalendari parashikon Javën e Bibliotekës në Kosovë, çeljen në Prishtinë te ekspozitës “Kundërbota e Branko Merxhanit”. Pjesëmarrje e përbashkët në festivalin ndërkombëtar të filmit në Berlin, pjesëmarrje e përbashkët në festivalin e Kanës, bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit të organizuara në Shqipëri.

Realizimi i shfaqjeve te ndryshme teatrale si “Carmina Burana”, “Monger” dhe popullore si “Gjerdani i Artë”. Por në kalendar shkruhet gjithashtu dhe realizimi i festivalit të regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj. Pjesë e tij është dhe pjesëmarrja e TKEKS në festivalin “Femart”, në qershor 2022.

Pjesëmarrja e Artpolis në festivalin që do të organizojë TKEKS në prill 2022, krijimi i një fondi të dedikuar për lëvizjen e artistëve, ekspozitë fotografike dhe promovimi i katalogut “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, etj.

Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Operës, Filarmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, konsiston në bashkëpunimin artistik dhe shkëmbimin kulturor, promovimin e shfaqjeve dhe trupave në festivale apo projekte të tjera teatrore, në kuadër të realizimit të programeve dhe veprimtarive të tyre.

Pjesëmarrjen në produksione të përbashkëta të performancave, shkëmbime autorësh, artistësh, etj. TKOBAP do të vërë në dispozicion për Operën e Kosovës shfrytëzimin, kopjimin e arkivit dhe nototekës shqiptare, për të gjitha veprat të cilat nuk kanë të drejtë autori, duke njoftuar të paktën 6 muaj përpara, dhe në mbështetje të rregullave dhe procedurave të legjislacionit në fuqi.

Po ashtu TKOB do të vërë në dispozicion të Operës së Kosovës shfrytëzimin e hapësirave për realizimin e koncerteve premierë ose rivënie, duke njoftuar të paktën 1 vit përpara, etj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme