Puna me mbetjet mortore e vështirë, EULEX-kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë

27 Prill, 2022 - 3:00 pm

Sot, derisa Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) rithekson përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa njofton se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.

Së bashku me IML-në, EULEX-i aktualisht është i angazhuar në mbështetjen e autoriteteve dhe homologëve nga vendi me ekspertizë të specializuar në fushën e operacioneve në teren në një sërë lokacionesh për të cilët urdhrat gjyqësorë janë ende në pritje, kërkimin e varrezave të reja klandestine të mundshme, çka mund të shpije në identifikimin e personave të tjerë të zhdukur, dhe rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës.

Rishikimi i mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës koordinohet nga një grup punues i udhëhequr nga ekspertët mjekoligjorë të IML-së, në bazë të strategjisë dhe planit të veprimit të grupit punues 2021-2023.

Qëllimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve njerëzore që ruhen në morg si dhe i dosjeve të ndërlidhura, dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve që përfshijnë: rastet e ndërlidhura me konfliktin e që janë të interesit mjekoligjor, rastet e interesit mjekoligjor të cilat nuk janë të ndërlidhura me konfliktin, dhe rastet që nuk janë të interesit mjekoligjor.

Procesi i rishikimit, i cili tashmë është në vijim e sipër, deri më tani ka rezultuar në dorëzimin e mbetjeve mortore të shtatë personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël tek familjarët e tyre.

Antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.

“Ne do të ndërmarrim një qasje më strategjike dhe do t’i shterojmë të gjitha mjetet hetimore mjekoligjore për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur që aktualisht janë nën përkujdesjen e IML-së”, tha Marinho.

Duke folur për strategjinë dhe planin e punës 2021-2023, Marinho tha se aty janë të përfshira dy strategji që kanë potencial të lartë për të ndihmuar për identifikimin e disa mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Strategjia e parë është kontaktimi i familjarëve të personave të zhdukur dhe kërkimi nga ta që të ofrojnë mostra të gjakut aty ku nuk ka, apo ku ato janë të pamjaftueshme për analiza të ADN-së. Kjo mund të shpije në përshtatje pozitive të ADN-së dhe në identifikimin e personave të zhdukur. Strategjia e dytë është adresimi i identifikimeve të gabuara që kanë rezultuar nga procesi i quajtur ‘identifikim tradicional’, përmes përdorimit të ADN-së”.

Marinho po ashtu tha se dy faktorët kryesorë që mund të pengojnë apo të parandalojnë identifikimin e mbetjeve mortore janë kushtet e ruajtjes së mbetjeve mortore, pra nëse ato janë të djegura apo shumë të fragmentuara, dhe pamundësia për marrjen e mostrave të duhura referente të gjakut për identifikimin e bazuar në ADN.

Megjithatë Marinho theksoi se “teknologjia në fushën e ADN-së e cila po zhvillohet me shpejtësi mund të shpije në rezultate pozitive me përsëritjen e testimeve të pasuksesshme të disa mostrave të mëparshme të ADN-së. Për fund, investimi në hulumtimet arkivore ndërkombëtare, me përpjekje të ripërtërira për qasjen dhe analizimin e informatave nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe i të dhënave të organizatave të tjera ndërkombëtare, po ashtu mund të hapin shtigje të reja në hetimin mjekoligjor të disa rasteve”.

Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka kryer 684 operacione në teren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të zhdukur, përfshirë 181 zhvarrime, ndërkaq, janë identifikuar mbetje mortore të 477 individëve, përfshirë 332 persona të zhdukur. /KultPlus.com

Të ngjajshme