Qarku i Fierit e Shkodrës në Festivalin Folklorik Kombëtar

30 Qershor, 2023 - 12:33 pm

 “Nga guna me rrëke e fustanella e Myzeqesë, te xhubleta hijerëndë e Malësisë”, kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti për natën e 6-të të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

Mbrëmë në festival u paraqitën grupet folklorike nga Qarku i Fierit dhe i Shkodrës, të cilët sollën një paradë të jashtëzakonshme kostumesh, por edhe traditash e ritmesh e ritesh.

Albumi fotografik që ministrja Margariti ndau për këtë natë të festivalit, është nga më interesantët. Përveç larmisë së kostumeve popullore tradicionale, fotot rrëfejnë dhe për spektatorët që kanë mbushur kalanë, një pjesë e madhe e të cilëve dallohen qartazi që janë turistë të huaj.

Qëkurse nisi, në 24 qershor, festivali u kthye në një magnet vizitorësh vendas e të huaj. Përveç kalasë ku zhvillohet festa e madhe folklorike,turistët kanë mbushur edhe kalldrëmet e qytetit të Gjirokastrës, ku festa vazhdon edhe në oret e vona./KultPlus.com

Të ngjajshme